Arbeshja

Date 25 Korrik 2008

“Veç me sy të shihemi

Pa gjithë bota të përmbyset”

De Rada

Arbëreshja

“Një lule që lulëzon kur do vetë, pavarësisht nga stina” - po i gëzohesha kotsëkoti metaforës së asaj mbrëmjeje, me një vetkënaqësi që krijon magjia e fjalës, kur ashtu e hedhur si palidhje, flatrohet dhe rrëmbush sytë e dikujt që ke pranë. Kështu ndodh rëndom, sa herë unë e takoj Mikin në një nga ato ditë, që perëndia na i sjell enkas për t’i blatuar njëri-tjetrit stolitë më të çmuara e për tja marrë sërish të nesërmen përmes harresës.

Ndodh me Mikin, por unë isha frymëzuar nga një njohje e re, e padukshme dhe atë natë kuptova se kisha dalë nga akuariumi ku pluskoja, për të gjalluar në një det të hapur…   

Ishte një njohje e verbër, sublime, përtej shikimit. Apo më duhet ta ndreq e të them para, pas, tej… shikimit. Në verbërinë e një bote virtuale, në jetën time u shfaq një arbëreshe. Ajo erdhi ndoshta nga valë-vargjet e De Radës, prej atij deti ku lundronin miliona detarë interneti. Kush e kishte menduar të  gjente atë? Një arbëreshe që jetonte fillikat në Romë, që fliste gjuhën e stërgjyshërve të saj të farkëtuar dhe të ngrirë qindra vite më parë, fliste gjuhën time, ndryshe dhe bukur dhe unë ndjehesha si tja kisha hyrë rrugëtimit drejt një misteri që më çonte tek zanafilla. Ajo ishte një urë që më lidhte më një botë të largët dhe unë e paragjykova me dashuri e dashurova me paramendim, si të ishte një mision i paracaktuar nga fati.Midis ndjenjës dhe detyrës!

Asokohe punoja kamarier edhe pse kam përzemër shpërqëndrimin. Këtë cilësi miqtë e mi e çmonin si komike, por për dreq më kishte hapur telashe me punëdhënësit-xhahilë,  të cilët i kanë shpallur luftë hutimit dhe të deshën qiqër për betejat tranzicionalo-kapitaliste. Qindra fytyra më përplaseshin në ditë në qelqet e syzeve dhe po të kisha një kamera në vend të syrit, do të kisha filmin më rrënqethës në botë. Mbase prej këtej vuaja nga fiksimi i përhershëm për të xhiruar një film të përditshmërisë dhe sëtoku me disa miq kishim krijuar një biçim forumi me shtëllunga idesh dhe tymi…Bota ecte shpejt për Zotin.

Atë natë po peshkohesha në chat kur xixëlliu në ekran: “vasha”

“Epo - thashë - ndonjë  kurvë do jetë, kushedi mashkull ose kodosh interneti”; kur sesi me ca shkëmbime frazash që rrëzoheshin si ushtarë betejash para syve të mi, kuptova se po bisedoja me një a-r-b-ë-r-e-sh-e.

U mbarsa me një emocion që ndodh vetëm në ato raste kur në një det pafund me mjegull, ti sheh tokë për një hop, e kalon kapitjen, gati i mbytur (më mbyste dita në shërbim të të tjerëve) dhe sheh se diku mund të ankorohesh. Tastet e kompjuterit po digjeshin nga fluksi i etjes sonë për njohje dhe ne hodhëm e pritëm fjalë arbërore derisa u ndamë. Kishte mbetur vetëm ankthi pas takimit  të parë.

A na kishte ngjitur? Sa marrëzi kisha thënë, unë që djegën gjithmonë e ftoh me cinizëm…po ajo sa thjesht dhe bukur shtrihej mbi atë shtrat fjalësh arbërishte…ishte larguar nga fshati me doke të lashta për të studiuar arkitekturë në Romë, kthehej për ferragosto atypari dhe vishte tunikën festive gjatë netëve me verë me pleq e rioshë që e ruanin si kristali vajzën që kishte migruar. Prindër të vdekur që i kishin lënë një shtëpi të plasaritur dhe amanet gjuhën, që ishte karremi ku ne kishim ngecur.

chat heshtja mund të ketë shkaqe banale.Heshtje e gjatë.

“Përse të venë në det / mendimet zemëra ime?”- më vinin ndërmend vargjet e De Radës duke pritur që ajo të shkruante.Offline. Ajo ishte shuar.

Ja kisha hyrë një loje lundruese, pa vela, por e dija se ajo ishte një arbëreshe me të cilën na ndante një det, një shikim.Me kë ta ndaja këtë ndjesi?Isha përplot me ngazëllim dhe ndeza një cigare.

Kështu çdo mbrëmje ne i shkruanim njëri-tjetrit dhe besonim tek fjala e shkruar, e cila shenjonte me shpejtësi emocionet si në një EKG të zemrës. Kjo lojë vazhdoi me muaj.

Mëngjes, me gërshërë ma preve ëndrrën!

Deti ishte tharë dhe ngjante si shkretinë, me tabela të ngulura si gurrvarre.Përmes tejqyrës, shihja të vinin bijtë e Arbrit, kuaj, qerre, sykuqur, buzëtharë vërshonin drejt bregut amë. Turmës i prin një Fiat 500 i zi nga ku befas zbret një lady me të zeza të modës dhe laptop në dorë. Është Ajo por s’më ngjan si arbëreshe, vjen më shumë si e huaj që të lë pagojë me befasinë e imazhit.Por nuk kam kohë të mendoj gjatë, se ka ndezuar laptopin dhe po shkruan mu në sytë e mi.

“Ku humbe”- shfaqet në ekranin e syve të mi.

“Këtu jam para teje”- ja bëj me shenjë.

“Lëri shakatë tani”- sot në Romë na mbyti vapa…”

 “Unë të shoh jam këtu në breg” Dal i thërras si i çartur…

Duke pirë kafe, para se të merrja ndërresën, analizoja çka më kishte mbetur nga ëndrra dhe nuk më hiqej nga mendja Fiat-i. Kumbimi i ëndrrës më kishte mpirë dhe ngrefosja e përpiktë e pronarit më rrënqethi. “Pare, dashnore, hija e gruas i rri në kaptinë si diademë”- mendova.

“Hajde çohu Geri, fillo me tavolinat shpejt” - zëri i tij shoqëroi shtypfikjen e cigares.  ”Mbahu pas ëndrrës” - i thashë vetes dhe fillova të përplasesha si përditë me imazhet e mia.

Miki më priste thonjëngrënë në një nga të vetmet tavolina të lokalit që nuk ishte pastruar. Isha duke mbaruar llogaritë me banakierin në një tavolinë tjetër dhe e ndjeja padurimin e saj që ishte ndezur-benzinë,  pas asaj telefonate eklipsuese. Shifrat në fatura po më davariteshin dhe  bluaja një inat në vete. “Ç’pata që ja thashë!”. Me banakierin ndamë tepricat, që sa vinin e pakësoheshin dhe pasi dyfishova porosinë e Mikit, u zvarrita deri tek tavolina e saj ku mbretëronte fërneti dhe duhma e duhanit. Kështu ishte ajo, rrëshqiste drejt pijes sapo dëgjonte për zhvillime jashtë rrjetës së saj.Në botë ka veç rrjeta ku ne peshkohemi përditë!

Më ngjante. E kisha njohur vite më parë dhe kisha parë të fluturonte nga një gjendje në tjetrën. Ishte sikur ta kisha njohur në kapërcyell të seksit të saj, gjithmonë ndërdyzash. Sapo kishte blerë një Fiat 500 në kërkim të mëvetësisë, por ja ku i ishte kthyer huqit të vjetër të përdredhjes së flokëve me gishta dhe pirjes së fërnetit, që këtë mbrëmje duhet ta ndanim bashkarisht. E kisha me ngut dhe duhet të shkoja të shihja mos valët do të më sillnin gjësend kësaj nate. Por mbeta aty të  duroja mikeshën time të mi shkarkonte si orteqe hallet që kishte sëfundmi, shumica prej të cilave asqë ekzistonin, por asaj i dukeshin të tilla. U ula skiç si gjithmonë dhe u mundova të lexoja në sytë e saj të stërpikur.”Askush nuk ma zë dot vendin” - lexova aty atë kumt disavjeçar që më drithëronte me qëndresën e tij mes nesh si një barrierë që herë pasqyrohej tek unë dhe herë tek ajo.

Skisha çbëja, sa herë që hyja në një histori, Miki shfaqej në lokal si orakull dhe ne pinim gjithë natën e natës si të dënuar në liri. Kështu ndodhi edhe atë mbrëmje pasi kisha njohur skulptoren me imazhin si të paqyruar në ujë. Ndërsa shërbeja porosinë, në një ditë dimri, artistja më ftoi t’i shkoja në studio se i duheshin duart si model.Isha me fat që kësaj here duart e mia nuk do ngrinin dhe ulnin gota por do të pozonin për një artist dhe kushedi do të zinin ndonjë cep galerie.

Pata përshtypjen se ajo studio në papafingo ishte stisur disa minuta më parë si një grackë që më bëhej mua dhe jo duarve të mia. Sa shumë isha marrë me to para se të vija, kisha prerë thonjtë me kujdes dhe tashmë i shihja me sqimë, artistikisht pra. Fillimisht i përdora për të hapur një shishe vere (prapë në shërbim mendova) dhe më pas përmes tyre ndjeva se gjoksi i saj ishte i butë si brumi ndaj edhe pse i madh më dukej sikur arrija ti prekja kafazin e kraharorit, ndërkohë që e dija se kisha hyrë në një marrëdhënie babëzie ku nga duart po përdorja gishtat dhe nuk kisha pse ti kundroja më artistikisht por thjesht  si mjete për të arritur qëllimin. Veç një natë dhe sërish ishte shfaqur ajo, Miki.    

Pas nja dy gotave ia kisha mbushur mendjen Mikit të largoheshim.Ishte sikur të na kishin shkulur ndonjë organ nga përbrenda, aq e ndjenim gaz-pikëllimin për fatin që na përsëritej.

Ndeza një cigare me solemnitetin e akteve vetvrasëse. Sa të ngrohej kompjuteri, kisha kohë të  hidhja diçka në gojë dhe kur “kushtrimi i arbëreshës të binte do të isha aty mbi kalë të fluturoja “. Herën e fundit ajo më kishte shkruar se diçka do të më rrëfente. “Me siguri që më donte” - mendoja kështu kur:

Aty je?”- tringëlliu në ekran dhe vrik i rashë kalit që mbante ndjesitë e mia të cilat në raste të tilla pritjeje shumohen si insekte.

Këtu jam dhe s’jam - i thashë

Sot nuk ma ka ënda të luaj, dua të rrëfehem

U bëra vesh e sy.

Fillo bijëza ime - i thashë si prift me moral të dyshimtë.Po çështë kjo shqipe letrare sot?

Unë nuk jam ajo që kujton - më tha

Një hyrje e gjetur që të çon drejt misterit - mendova. Pse nuk je arbëreshe?

Ou Geri, si mund …?

U çlirova. Por çfarë atëherë?

Troç…unë jam e  Mikit

Një xhelozi universale më ngjethi lëkurën dhe ma thau gojën. Në marrëzi po humbisja apo si? Ajo dhe Miki! Binom palidhje.

Si kështu?- mezisa shkruajta. Pa më trego.

Gjithçka filloi në vjeshtë, kur Miki u shfaq një pasdite në ato momentet më përhumbëse të jetës së një gruaje, gjatë ekplorimit që ajo i bën trupit të saj lakuriq pas një banje të nxehtë. Trupi çliron avuj aromatikë dhe shpirti i gruas është më tradhëtar se kurrë. Ajo qëndronte në cep të shtratit dhe filloi të më prekte…

Situata të tilla erosi i kisha parasysh por nuk ma rrëmbente kush arbëreshen time nga dora, veç të vdisja, aq më pak mikesha ime më e mirë.

Nuk mund ti përvidhesha më syve të saj paskrupuj. Po dridhesha  dhe ajo  ishte aty.

E kisha mprehur kohët e fundit shqisën e përfytyrimit, por aq qartë dhe me shkëlqim nuk mund të kisha parë asgjë tjetër si ajo skenë. Sytë e Mikit si xhokondë tinzare më ishin ngulur edhe mua përmes arbëreshes. Ato sy ngadhënjimtarë me shikimin si gjuhëza flake që zgjaten e nuk shkulen pa të bërë shkrumb…

Gishtat e saj të hollë filluan të endin pëlhurën e purpurt të asaj nate amazonash. Pastaj u tremba nga vërshimi i lumturisë dhe qava mbi trupin dihatës të Mikit…- ajo vazhdonte si përçart.

Ndjeva fatin tim të shembej.Të ndjesh humbjen i eksituar, a ka më keq për robin? Një penelopë që end pëlhurën e epshit …Miki. Lëshova kryet mbi tastierë dhe fillova të mallkoj të gjitha gërmat që si përmblidhja dot në fjalë. Siç duket diçka i trokiti arsyes sime në atë moment:

Po dale, prit, kush je ti, kjo simbiozë, kjo fantazi, ky bashkim nga erdhi? - arrita të shkruaja në ekran i ngatërruar keqazi, pa e ditur se a do të merrja një përgjigje nga përtej apo e kërkoja nga vetja. 

Pas një heshtje të rëndë si honi i një oqeani ajo që do të lexoja do të ma ndryshonte jetën fundekreje:

Unë jam Miki o i verbër.Krijova personazhin kryesor për atë filmin tënd haluçinant. Dhe këtë e bëra si një mike e mirë, e vesha me pak ëndërr (siç ke qejf ti), i vura një gjuhë tjetër dhe të bëra që të dashuroheshe me të, ngaqë gjithë jetën prita të më dashuroje mua. Personazhi im zhvillohej përmes teje dhe unë po bija në dashuri me të pikërisht në çastet e fundit të jetës së tij kur zbulova se ishte më i pafajshmi në këtë histori. Ju meshkujt gjithmonë keni  dashur diçka të largët dhe të paarritshme, që skeni për ta arritur kurrë.  

3 komente

  1. losttext UNITED STATES thotë:

    c`mrekulli pershkrimi! Me perpiu… them se te ka rreshkit ne capak raste te vockla, por jane gjera me shume editimi, redaktoriale.

  2. xheke ALBANIA thotë:

    LostT te falenderoj per percjelljen e ndjesive ketupari. Je nje lexues-krijues origjinal. Ne fakt ke te drejte i duhet edhe nje dore tjeter edituese
    Me te mira (edhe Florit me kete rast)

  3. losttext UNITED STATES thotë:

    falemnerit ty, Xheke, per kenaqesine qe na jep.

Shkruaj një koment



Duhet të jesh i/e identifikuar për të komentuar.